Lajçak: Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen, pres gjuhë të përbashkët

Para takimeve me delegacionet e Kosovës të kryesuar nga zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe negociatorin e palës serbe Petar Petkoviq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që të palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kosova dhe Serbia janë duke vazhduar dialogun për normalizim të marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti kishte paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.