Lajçak i zhgënjyer me masat e reja të reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur i zhgënjyer me masat e reja të reciprocitetit të marra mbrëmë nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka theksuar se duhet të hiqen të gjitha pengesat për rifillimin e dialogut.

“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme dëmtojnë rinisjen e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç kemi thënë  vazhdimisht, ne presim që të dy palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar ai në Twitter.

Qeveria Kurti ka filluar zbatimin e reciprocitetit ndaj shtetit të Serbisë pasi ka hequr tarifën 100 për qind.

Dje ekzekutivi ka marrë vendim, i cili parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Ndërsa sot, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë vendosja e reciprocitetit është masë më e keqe se tarifa, duke theksuar se nëse autoritet e Kosovës nuk i heqin këto masa, Serbia nuk do ti kthet dialogut të ndërprerë në nëntor të vitit 2018 për shkak të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Daçiq reagon ndaj masave të reja të reciprocitetit të vendosura nga Qeveria Kurti