Lajçak i shkruan letër Thaçit për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën i ka kërkuar bashkëpunim sa i përket procesit të negociatave.

Në këtë letër të publikuar nga RTK-ja, Lajçak ka shkruar se e synon që të punojë pa u lodhur dhe me dinamikë për të përparuar procesin e dialogut si dhe pret  që Prishtina dhe Beogradi të rivevendosin  angazhimin e tyre në këtë drejtim.

“Jam i bindur që me vullnet të mirëfilltë politik nga të dy palët dhe përmes dialogut, ne mund të arrijmë rezultatet për të cilat synojmë të gjithë, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Në vendimin e Kosovës për të hequr tarifat, e shoh një hap të rëndësishëm dhe konkret për rifillimin e dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhet në letër.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur pritet të rifillojë dialogu mes të dyja vendeve.

Dipolmati mes tjerash, ka përsëritur mirëpritjen ndaj vendimit për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë e Bosnje e Hercegovinës nga ana e Kosovës.

Lajçak ka theksuar se Bashkimi Evropian qëndron krah Kosovës, për luftimin e pandemisë së coronavirusit.

Në anën tjetër, spektri politik në Kosovë nuk po tregon unitet sa i përket këtij procesi. Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, kanë shfaqu qëndrime të ndryshme në këtë drejtim.

Dy ditë më parë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, kanë shkëmbyer dy letra mes vete.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se fillimisht Kurti i ka dërguar letër Lajçakut, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e re të detyrës dhe suksese.

Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.

Në letrën e Kurtit  thuhet se si kryeministër është  i obliguar sipas Kushtetutës që të themelojë dhe udhëheq ekipin negociator për dialogun, si dhe ka paraqitur një ekip negociator.

Kurse, Presidenca të enjten ka deklaruar se kryeministri në largim nuk është konsultuar me presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.

“Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese”, është thënë në komunikatë.

Presidenca mes tjerash është shprehur se lista e delegacionit të propozuar nga “kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë”.

Foto: RTK