Lajçak i shkon në takim Besnik Bislimit, para se të takohet me kryeministrin Kurti

Para takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Në ndërtesën e Qeverisë është parë të hyjë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Sot Lajçak ka zhvilluar një takim edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë për dy ditë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.

Nuk dihet se cila do të jetë agjenda e Lajçak për nesër, më 10 mars.

Një vizitë e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd ishte paralajmëruar pas takimit të 27 shkurtit.

Në takimin trepalësh të 27 shkurtit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk është arritur marrëveshje.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Pas takimit të 27 shkurtit, një takim trilateral është paralajmëruar edhe më 18 mars.

Fillon takimi i Presidentes Osmani me Lajçakun