Lajçak: Grenell krijoi konfuzion në dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se të dyja vendet janë të njoftuara se për çka janë duke biseduar.

Në një intervistë për gazetën franceze, Le Monde, ai po ashtu ka thënë se i dërguari i Donald Trumpit, Richard Grenell, ka shkaktuar konfuzion rreth procesit të dialogut.

“Gjëja më e rëndësishme për mua është konfirmimi, edhe një herë, se uniteti SHBA-Evropë është një faktor vendimtar i suksesit në Ballkan. Ne jemi plotësues. Vitin e kaluar, kishte një konfuzion rreth procesit të filluar nga Uashingtoni, i cili ishte kryesisht puna e një personi Richard Grenell, i dërguari special i Donald Trump, jo i administratës amerikane si e tillë”, tha Lajçak.

Sipas tij, mendimi i Departamentit të Shtetit Amerikan ka qenë gjithmonë mbështetja e pozicionit të BE-së në rolin udhëheqës.

“Kontaktet e mia rajonale më thanë se ata nuk dëshironin të zgjidhnin midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, ka shtuar më tej ai.

Lajçak po ashtu tha se dialogu Kosovë-Serbi ka rifilluar pas një pezullimi 20 muajsh dhe sipas tij, një e arritur është ripërcaktimi i këtij procesi.

I dërguari i BE-së për dialog theksoi se kanë rënë dakord me të dyja vendet që të mos diskutohet për çështje teknike, por për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ne kemi rënë dakord me Prishtinën dhe Beogradin që nuk do të angazhohemi në një seri negociatash teknike, por në favor të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese. Asnjë çështje nuk duhet të lihet mënjanë, siç kishte qenë rasti në të kaluarën, siç janë pretendimet e ndërsjella financiare ose mosmarrëveshjet pronësore”, tha Lajçak për gazetën franceze.

Sipas tij, shumë tema janë diskutuar në të kaluarën, por kurrë nuk u zbatuan.

“Temat e tjera ishin diskutuar, por diskutimet kurrë nuk rezultuan në zbatim. Prandaj, të dy palët e dinë saktësisht se çfarë po negociohet. Ne tashmë kemi përfunduar diskutimet për personat e zhdukur, personat e zhvendosur ose bashkëpunimin ekonomik. Por, asgjë nuk ka përfunduar derisa gjithçka të përfundojë”, tha Lajçak.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky dialog ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të afruar palët drejt normalizimit të raporteve dhe në këtë kuadër, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik.