Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak në konferencë për media | Foto: ZKM

Lajçak, Escobar dhe 3 zyrtarë të tjerë të premten në Prishtinë

Këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, Italisë, Gjermanisë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të vijnë të premten në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano përmes një konference për media.

“Mund të konfirmoj se emisari Lajçak do të udhëtojë këtë javë në rajon, që është në kuadër të tentimeve për ta avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte, në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë” – tha Stano.

“Në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv.sekretari amerikan Gabriel Escobar” – shtoi ai.

Sot, Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Davos.

Në Twitter Lajçak ka shkruar se kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Fillova ditën time në Davos me një diskutim të thelluar me Kryeministrin Albin Kurti. Ne folëm për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”- ka shkruar ai.

Kurti takon Lajçakun në Davos të Zvicrës, bisedojnë për hapat e ardhshëm në dialog