Lajçak e informon ministrin e Jashtëm spanjoll për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka falënderuar Spanjën për mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së për dialogun.

Lajçak ka njoftuar në Twitter për takimin që ka zhvilluar sot me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares.

“U takova sot me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares, për ta përditësuar atë për situatën në dialog. Ne kemi nevojë për progres të shpejtë në këtë moment kritik drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirënjohës për Spanjën për mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së” – ka shkruar Lajçak.

Spanja është në mesin e 5 vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Koosvës

Të premten Lajçak së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz,  dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, dhe këshilltari diplomatik të kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò, zhvilluan takim me kryeministrin Albin Kurti.

Pas këtij takimi i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se “takimi nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”.

Lajçak tha se qëllimi i takimit mes Kurtit dhe pesë emisarëve ndërkombëtarë ishte diskutimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar propozimin për normalizim që ju prezantua në shtator dhe më pas në dhjetor. Kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin, gjë që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”- ka thënë ai.

Lajçak pas takimit me Kurtin: Diskutuam propozimin për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi