Lajçak: Do të ishte joprofesionale të vendosja harta tjera

Përfaqësuesi i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se një zyrtar i BE-së mund të përdor hartat zyrtare dhe se do të ishte joprofesionale nëse do vendoste harta tjera.

“Për çështjen e hartës e kam sqaruar deri më tash. Një zyrtar i BE-së mund të përdorë hartat zyrtare. Kjo ka nxit një reaksion emocional. Do të ishte jo-profesionale nëse do vendosja harta tjera. Kjo do të thotë se ka nevojë për dialog”, tha Lajçak gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.

Lajçak para disa ditësh në një prezantim publik, në sfond kishte një hartë ku Kosova paraqitej brenda kufijve të Serbisë.

Ai përmes rrjetit Tëitter kishte thënë se imazhi i hartës ka qenë i paqartë dhe ka ndarë një foto nga afër të kësaj harte e cila sipas tij është hartë zyrtare e BE-së.

“Derisa harta në zyrën time në një imazh të paqartë gjatë intervistës sime ka shkaktuar disa keqkuptime, sot, unë po e ndaj një foto të saj nga afër. Është një hartë zyrtare e BE-së e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu vija që ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar Lajçak.