Albin Kurti e Mirosllav Lajçak - Foto: Mirosllav Lajçak/Twitter

Lajçak: Diskutuam gjatë me Kurtin për dialogun Kosovë-Serbi

 I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka dhënë detaje sa i përket takimit të tij të djeshëm me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti.

Ai në një intervistë në ‘KTV’ tha se kanë diskutuar gjatë me Kurtin për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Qëllimi im parësor këtë herë ishte që të takohesha me Kurtin dhe të diskutoja për dialogun, pasi që ai është kryeministër në ardhje dhe ai do të jetë partneri ynë. Unë doja të sigurohesha që ai kishte informacione të plota për dialogun dhe strukturën dhe shpenzuam goxha kohë rreth diskutimit të këtyre çështjeve”, tha Lajçak më tej.

Lajçak dje ka ardhur në një vizitë treditore në Kosovë. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Lajçak do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe partive politike, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Sot, ai u takua edhe me u.d. presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, e dje me kandidatin për kryeministër nga LVV, Albin Kurti.