Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak: Diskutimet për targat vazhdojnë më 13 maj

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak ka thënë se pas takimeve me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin serb Petar Petkoviq janë dakorduar që të vazhdojnë bisedimet.

Lajçak ka thënë se takimi për gjetjen e një zgjidhje të përhershme do të mbahet më 13 maj 2022.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka shkruar ai në Twitter.

Më 21 prill ka qenë afati i fundit për një arritje të marrëveshjes së përhershme mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Ndonëse nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë çështje, regjimi i letrave ngjitëse për tabelat ka vazhduar.

Grupet e negociatorëve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

BE: Deri në një marrëveshje, vazhdon regjimi i letrave ngjitëse për targat