Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lajçak deklarohet pas takimeve me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka shprehur keqardhje që nuk kanë arritur të zhvillojnë takim trepalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajçak tha se ai mbetet në dispozicion të palëve në ditët në vazhdim.
“Prita sot në Bruksel dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dhe delegacionet e tyre për takime të ndara. Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”- ka shkruar ai në “X”.
Hosted the two Chief negotiators of Kosovo and Serbia and their delegations for separate meetings in Brussels today. I regret we did not address the most pressing issues in a trilateral format today. I remain at the disposal of the Parties and we will continue in the next weeks. pic.twitter.com/T5RL0q1RfX
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 17, 2024
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka pasur takim trepalësh, për shkak të, sipas saj, refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.
“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me temat e diskutimit në takimin e zhvilluar më 17.09.2024 mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Sipas Qeverisë, “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
Në komunikatën për media theksohet se Bislimi ka thënë se ura duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese.