Lajçak: Bislimi më tha se nuk ka arkiva të UÇK-së

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka folur para gazetarëve në ditën e fundit të vizitës në Kosovë lidhur me takimet që ka pasur me zyrtarët shtetërore. Lajçak tha se në takimin e fundit mes Bislimit dhe Petkoviqit që ka ngjallur interesim rreth temës së arkivave, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por arkiva shtetërore të Kosovës.

“Nuk ka pasur diskutime specifike për arkivat, ka pasur rikonfirmim se nuk do të ketë pengesa nga palët për të pasur kyçje në arkiva kjo është çfarë është thënë edhe para një viti. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiv shtetërore të Kosovës”, tha Lajçak.

Ai refuzoj të komentoj deklaratën e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

“Nuk do të komentoj në deklarata të askujt sepse jemi këtu të normalizojmë marrëdhëniet dhe nuk bëj asnjë koment publik për këtë”, tha ai.

Diplomati sllovak tha po ashtu se është e rrezikshme të flitet se kur do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

“Ne diskutuam për datat e mundshme të takimit të ardhshëm me zyrtarët shtetërorë të Kosovës për të cilat do t’i diskutoj edhe në Beograd.  Është e rrezikshme të flitet për një afat kohor të arritjes së marrëveshjes, çfarë është e rëndësishme është se dy palët janë shprehur të gatshme për dialog”, u shpreh ai./RTK