Lajçak bisedon me Kurtin e Rakiqin për dialogun dhe masat ndaj COVID-19

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se sot ka biseduar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe kryetarin e pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Lajçak ka shkruar në Twitter se ka qenë një bisedë e dobishme për rifillimin e dialogut.

“Duke vazhduar diskutimet e mia me udhëheqësit politikë në rajon, unë fola me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Goran Rakiq. Ne patëm bisedime produktive dhe të dobishme në lidhje me rifillimin e Dialogut, reagimin ndaj Covid19 si dhe masat e ndihmës nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai.

Më 3 prill Miroslav Lajçak është emëruar Përfaqësues i ri Special i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë pas vendosjes së tarifës 100 për qind nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 si përgjigje ndaj fushatës së çnjohjeve nga shteti i Serbisë.