Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi

Lajçak: Asnjëherë nuk e kemi kushtëzuar dialogun me vizat

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se bashkëndjen fuqishëm me kosovarët për çështjen e liberalizimit të vizave dhe tha se ai e ka ngritur këtë çështje sa herë që flet me shtetet anëtare.

“Bshkëndjej fuqishëm me ju, dhe më besoni që unë e ngris çështjen e vizave në çdo mundësi që kam, sa herë që flas me shtetet anëtare”, tha Lajçak në një intervistë në “Kallxo Përnime” duke shtuar se kjo mund të konfirmohet me shtetet anëtare.

Lajçak thotë se kjo çështje është shumë e vonuar dhe do të duhej bërë më herët.

“Unë e kam thënë që kjo është çështje shumë e vonuar, do të duhej bërë më herët, Kosova e meriton lëvizjen e lirë siç e ka pjesa tjetër e Evropës”, tha ai.

PërfaqësuesisSpecial i BE-së tha se liberalizimi i vizave nuk lidhet me dialogun dhe se është pikë e veçantë në agjendën evropiane.

Sipas tij, kjo çështje është në duart e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe ka bërë me dije që asnjëherë nuk e kanë kushtëzuar dialogun me vizat, sepse sipas tij këto janë dy agjenda dhe çështje krejtësisht të ndara.

“Ju duhet të pyesni vendet anëtare nëse kanë probleme me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe nëse po, të pyesni qartë se cili është problemi specifik. Zakonisht ajo që ndodh është që ministritë e punëve të jashtme kanë qasje më pozitive, ndërsa ministritë e punëve të brendshme të vendeve anëtare janë më të kujdesshëm, më të rezervuar apo kanë qasje më negative”, tha Lajçak.

Lajçak tha se në këto dy vite që kur është emëruar në këtë detyrë, nuk ka pasur asnjëherë më shumë diskutime brenda shteteve anëtare për nevojën për të hequr regjimin e vizave për Kosovën sesa që ka aktualisht.

“Kjo ka qenë një nga pikat që kanë dominuar diskutimet e javës së kaluar në Këshillin Evropian’, u shpreh ai.

Përfaqësuesi Special i BE-së tha se jo çdo shtet të cilit i janë hequr vizat është konsideruar rast i suksesshëm. Në një mënyrë, sipas tij, Kosova po e paguan çmimin e shembujve të kaluar që nuk funksionuan më së miri.

“Ata duan garancione që heqja e vizave nuk do të keqpërdoret. Pra, kjo është shumë e rëndësishme që të jepen garancionet e kërkuara apo të pyesni qartë se çfarë garancionesh kërkojnë ata”, theksoi Lajçak.

Lajçak ka treguar se Serbia dhe Kosova kanë nevojë për normalizim të marrëdhënieve me njëra-tjetrën, kanë nevojë të flasin dhe diskutojnë se çka do të thotë normalizimi për to dhe se si të arrihet deri aty.

Sipas Lajçakut, duhet të punohet në normalizim të marrëdhënieve, sepse është në interesin e dy palëve.

Emisari Lajçak tha se çdo dokument që Kosova apo Serbia e kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian përmban parimin që normalizimi i marrëdhënieve duhet bërë patjetër dhe është prioritet.

Ndërkaq, në samitin e mbajtur në Bruksel më 23-24 qershor Kosovës nuk iu është dhënë datë për liberalizimin e vizave.

 

Çfarë pritet nga Samiti i BE-së?