Lajçak: Agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një urgjencë të re për veprim të BE-së në Ballkan

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak në paraqitjen e tij në Forumin Ekonomik të Delfit ka thënë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Evropë.

Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Lajcak ka shkruar se agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një urgjencë të re për të vepruar, si në Ukrainë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne gjithmonë e kemi ditur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë. Agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një urgjencë të re për të vepruar mbi të – si për Ukrainën ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajcak.

Lajcak gjithashtu ka shtuar se “ajo që duhet të bëjmë tani është ta kthejmë këtë vrull në rezultate të prekshme”.

Gjatë ditës së sotme, Lajcak është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim u bisedua për çështjen e targave të automjeteve të Kosovës dhe Serbisë, për cilën Kurti ka thënë se janë dy javë larg kësaj marrëveshjeje.

Temë diskutimi në takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që sipas komunikatës, kryeministri ka theksuar se në qendër ka njohjen reciproke.

Kurti: Jemi dy javë larg afatit për marrëveshje me Serbinë për targat