Wikipedia

Lahuta, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore

Prej më shumë se gjysëm shekulli, Pretash Nilaj vazhdon t’i këndojë lahutës.

Ai është ndër të paktët lahutarë të mbetur në Malësi të Madhe, trevë kjo e njohur për lahutarë të shquar dhe për këngët e tyre të kreshnikëve, luftëtarëve popullorë dhe heronjve të kombit.

Pretashi thotë se ka mësuar të këndojë me lahutë nga gjyshi dhe babai i tij kur, bashkë me malësorë të tjerë të Kelmendit, mblidheshin në kullat e njëri-tjetrit dhe këndonin këngë trimërie.

Më ka hyrë në qejf qysh i vogël, kur dëgjosha babën tuj i ra lahutës. Me than të drejtën, çdo shtëpi malësore e ka pasë një lahutë. Mbaj mend, kur isha i vogël shkojshim mbas darke me ndejt tek njeri-tjetri dhe i binin lahutës ata që dinin. Me i ra, këndojshin kangë të gjata, kangët e ciklit të kreshnikëve. Dhe, kështu më ka hy në qejf qysh se isha i vogël”, thotë ai.

Pjesëmarrës në një pjesë të madhe të festivaleve kombëtare të folklorit dhe veprimtari të shumta, brenda dhe jashtë vendit, lahutari Pretash Nilaj njihet për mjeshtërinë dhe origjinalitetin në interpretimin e këngëve të kreshnikëve dhe shumë këngëve të reja, që i këndohen luftëtarëve dhe figurave të shquara të kombit, siç është edhe Nënë Tereza.

Kangët ma të pëlqyme me lahutë dhe që i don lahuta janë kangët e ciklit të kreshnikëve, Mujit dhe Halilit, Mujit dhe zanave, kangët e herojve dhe dëshmorëve sepse, përmes tehit të lahutës ka mbetë trimëria dhe heroizmi i tyre”.

E përhapur gjërësisht gjatë shekujve, kryesisht në Malësi të Madhe, Dukagjin dhe Malësinë e Gjakovës, lahuta është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Pretashi ndjen keqardhje që, nga viti në vit, numri i lahutarëve po pakësohet dhe, bashkë me të, po zbehet edhe interesimi i të rinjve për të mësuar lahutën.

Është e rëndësishme, thotë Pretashi, që edhe strukturat shtetërore të jenë më të vëmendshme në ruajtjen dhe promovimin e kësaj pjese të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare.

Jam mundu dhe kam kërku me më ndihmu me hap një kurs të vogël për me mësu fëmijët me i ra lahutës, me ditë kush është lahuta dhe me u mundu me e mësu, por nuk kam gjet mbështetje”.

Ndër shekuj, në Malësi të Madhe, thotë Pretashi, çdo shtëpi ka patur lahutë. Pas vitit 1990, kur një pjesë e madhe e malësorëve emigruan jashtë vendit, ose u shpërngulën në qytete, interesimi për lahutën nisi të zbehet. Por, vitet e fundit, thotë Pretashi, malësorët i janë rikthyer dëshirës për të patur në shtëpitë e tyre edhe lahutën, si symbol të krenarisë kombëtare. Kjo e ka shtyrë Pretashin që, krahas luajtjes në lahutë, të punojë edhe për prodhimin e lahutave të reja./VOA