Lahaj pas situatës në Ukrainë: Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin

Tenori kosovar, Ramë Lahaj, pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ka deklaruar se ka biseduar me miq rus të botës së operës, nga të cilët, sipas tij, ka kuptuar keqardhjen që shprehnin ndaj situatës me Ukrainën.

“Si artist kam qenë disa herë në Moskë të Rusisë për të performuar në “Bolshoi teatër”, teatër ky me një kulturë shumëvjeçare. Ata janë artistë e njerëz të mëdhenj. Në botën e operës kam shumë miq rusë të cilët janë njerëz e artistë të mrekullueshëm. Njerëz paqësorë dhe të emancipuar. Këto ditë kam diskutuar me disa prej tyre, ku kam kuptuar keqardhjen që shprehnin ndaj situatës me Ukrainën”, thotë ai.

Sipas tij, Rusia nuk meriton një përfaqësues si Putini. Lahaj ka thënë se si një fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjen keqardhje për Ukrainën dhe qytetarët e saj.

“E gjithë kjo psikopati për destabilizim i adresohet direkt atij. Si një fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjej keqardhje për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Dhe uroj që gjendja të stabilizohet shumë shpejt. Sikur nuk kaluam mjaftueshëm dy vjet trauma nga pandemia. Veç edhe lufta na mungonte. Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin e çfarëdo provokimi për luftë”, ka shkruar Lamaj në rrjetin social “Facebook”.

Mëngjesin e sotëm Rusia ka nisur ofensivën ndaj Ukrainës.

Lufta në Ukrainë, kryeministri britanik: Kjo është një katastrofë për Evropën