Laburistët pritet t’i nacionalizojnë hekurudhat britanike

Mbreti Charles i Tretë i Mbretërisë së Bashkuar ka shpalosur planet e Qeverisë së re laburiste në seancën e parë solemne të Parlamentit britanik pas zgjedhjeve të parakohshme, që i kthyen konservatorët në opozitë pas një periudhe të gjatë në krye të shtetit ishullor.

Sipas përmbledhjeve të shkëputura nga fjalimi i mbretit, BBC shkruan se Charles i Tretë ka lexuar draftligje që përfshijnë planet për nacionalizimin e hekurudhave dhe përshpejtimin e ofrimit të “infrastrukturës dhe banimit me cilësi të lartë”.

Qeveria e kryeministrit Keir Starmer synon gjithashtu “ta modernizojë” sistemin e azilit dhe migracionit. Tani në parlamentin britanik, Starmer dhe lideri i opozitës, ish-kryeministri Sunak, por edhe deputetët e tjerë po debatojnë planet në Dhomën e Komunëve.

Në fjalimin e mbretit, nuk janë përmendur mundësia e votimit për 16-vjeçarët, që ishte përmendur në manifestin e Partisë Laburiste. Lucy Powell nga kjo parti ka thënë se “shpreson” se 16-vjeçarët do të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, shkruan BBC.

Me 1.421 fjalë, ky ishte fjalimi më i gjatë i monarkut në seancën inauguruese në 20 vjetët e fundit, shkruan BBC duke iu referuar analizave të agjencisë së lajmeve, PA. Duke llogaritur numrin e fjalëve, ky ishte fjalimi i shtatë më i gjatë prej Luftës së Dytë Botërore.

Charles të Tretë i janë dashur 12 minuta dhe 44 sekonda për ta lexuar, krahasuar me 11 minuta e gjysmë të fjalimit të herës së kaluar.

Dhe ishte njëri prej fjalimeve me peshën më të madhe në vitet e fundit, me rreth 40 draftligje në emër të qeverisë.

Krejt ndryshe, fjalimi i fundit i një monarku nën qeverinë laburistë – në nëntorin e vitit 2009 – përfshinte vetëm 13 draftligje. Kishte gjatësi prej 735 fjalësh dhe Mbretëreshës Elizabeta e Dytë iu deshën gjashtë minuta e gjysmë për ta lexuar.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com