Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Laburistët britanikë ua rrisin taksat bizneseve dhe të pasurve

Ministrja e re e Financave e Britanisë së Madhe, Tachel Reeves, ka bërë të ditur planin për rritjet më të mëdha të taksave në tri dekadat e fundit, duke theksuar se vetëm kështu do të mund të riparohen pasojat e shërbimeve të dobësuara publike, raporton Reuters.

Bizneset dhe të pasurit përballen me barrën e rritjes së madhe të taksave dhe Reeves ka trasuar rrugën për hua më të larta për investime për t’i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik të goditur nga kriza financiare e viteve 2007-09, Brexit-i, COVID-i dhe ngritje e madhe e çmimeve.

Ish-ekonomistja e Bankës së Anglisë – e cila u ka thënë deputetëve se ndihet krenare që është emëruar gruaja e parë shefe e thesarit – është zotuar se nuk do të kthejë politikat e taksave të ish-kryeministres Liz Truss, që i kushtoi me presion për dorëheqje në vitin 2022.

Investitorët nuk u shqetësuan fillimisht prej programit ekonomik të Partisë Laburiste. Por çmimet e obligacioneve qeveritare pësuan më vonë derisa u bë i ditur plani i shpenzimeve dhe investitorët ulët bastet e tyre për normën e interesit të Bankës së Anglisë për vitin e ardhshëm.

Reeves ka thënë se taksat do të rriten për 40 miliardë funte britanike në vit, duke fajësuar konservatorët pse u lanë laburistëve “një vrimë të zezë” në buxhetin e shtetit mbretëror.

“Çdo kancelar i përgjegjshëm do të merrte veprime”, ka deklaruar ajo. “Kjo është arsyeja pse sot unë po rikthej stabilitetin në financat tona publike dhe po rindërtoj shërbimet tona publike”.

Ajo ka thënë se gjendja në shërbime publike nuk është e mirë, duke treguar për pritje të gjata për shërbime në shëndetësi, për kushtet e shkollimit të fëmijëve në shkolla të vjetruara dhe për transport jofunksional. Ka thënë se investime duhen edhe në sistemin e drejtësisë.

Por në një goditje për Reevesin, monitoruesi i buxhetit britanik ka bërë të ditur se ekonomia do të rritet më ngadalë sesa ishte menduar gjatë periudhës 2026-2028 pas një performance relativisht të mirë në dy vitet paraprake. Monitoruesi ka thënë se investimet më të larta në sistemin publik me gjasë do ta fuqizojnë rritjen ekonomike, porse shenjat e qarta më shumë do të vërehen në vitet 2030.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com