Foto: REL/Reuters

Laboratori privat në Prishtinë insiston se testet për COVID-19 që i ofron janë legale

Laboratori privat “Avicena KS” ka thënë që testet për COVID-19 që i ofron janë legale.

Përmes një reagimi, laboratori thotë se posedojnë lejen e importit të testeve për COVID-19.

“Laboratori Avicena -KS demanton lajmin e publikuar në disa media se testet e COVID-19 që ne i ofrojmë nuk janë legale. Ne posedojmë lejen e importit të këtyre testeve, te cilat janë në bazë të standardeve të BE-së”, thuhet në reagim.

Ata po ashtu kanë thënë që për veprimtarinë e tyre kanë njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë përmes dy shkresave.

“Ministria Shëndetësisë është lajmëruar përmes dy shkresave zyrtare të dërguara përmes postës elektronike për posedimin dhe fillimin e testimit nga ana e laboratorit Avicena-KS. Njëherësh, ia sqarojmë edhe Ministrisë së Shëndetësisë se në licencën që ne posedojmë, i kemi të deklaruara kodet për këtë lloj testimi (Kodet ICD-9 si shërbime mjekësore A34.052-igG dhe A34.053 igM)”, thuhet tutje në reagim.

Laboratori ka paralajmëruar padi nëse Ministria e Shëndetësisë ia ndal aktivitetin.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka bazë ligjore që të ndalojë punën e laboratorit tonë. Çdo përpjekje që në bazë joligjore të ndalë aktivitetin e laboratorit, do të jetë subjekt i padisë gjyqësore nga ana jonë”, thuhet tutje aty.

KALLXO.com ka raportuar se si laboratori në fjalë ka nisur të promovojë se mund të kryejë teste për COVID-19, ndërsa në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) është i vetmi institucion ku mund të kryhen këto teste.

Sipas Ministrisë, IKSHPK është i vetmi institucion që kryen teste të aprovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat kryhet me metodën REAL TIME PCR.