Laboratori i drogës në mullirin e Suharekës, Prokuroria kërkon paraburgim për shtetasin turk

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndaj shtetasit turk me inicialet F. U., i cili është arrestuar me 21 mars të këtij viti, në lidhje me laboratorin e drogës në Suharekë.

Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion të premten e 18 shkurtit, në një mulli në fshatin Shirokë të Suharekës, ku ishte gjetur një laborator i drogës.

Sipas kërkesës së prokurorisë, shtetasi turk F.U., nga data e pavërtetuar e deri më 16 mars 2022, pa autorizim ka kultivuar bimë të hashashit, shkurrës së kokainës, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.

Ai dyshohet bërë bashkë me të pandehurit A.R., E.M., F.M., E.D., M.V. dhe A.M., kanë kultivuar bimë narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë të Suherëkës.

“Me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime, Prokuroria pretendon se i dyshuari kishte kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit’.

Gjithashtu, Prokuroria pretendon se i lartëcekur pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i ka siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, e të cilën substancë e ka ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të paidentifikuar.

Për këtë, shtetasi turk F.U., Prokuroria pretendon se ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Një operacion i madh anti-drogë është duke u zhvilluar në rajonin e Suharekës.

Ky operacion nga Prokuroria e Prizrenit kishte për cak një grup të personave që prodhonin marihuanë në fshatin Shirokë të Suharekës

Pamje ekskluzive të laboratorit të drogës që u shkatërrua në Suharekë