Laboratorët privatë raportuan disa raste ku hasën në teste PCR të falsifikuara

Disa persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të falsifikimit të një dokumenti zyrtar ashtu siç konsiderohen të jenë rezultatet e testeve PCR për COVID-19 e të cilat vërtetojnë nëse je apo jo i infektuar me coronavirus.

Fatmir Sejdiu, drejtor i laboratorit “Olive” në Prishtinë, ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” se gjatë javëve të fundit kanë identifikuar dy raste të cilat i kanë raportuar në Polici.

“Rasti i parë ka ndodhur para një muaji. Kur e kemi pa që në bazë të sigurisë nuk është rezultati ynë e kemi raportu, sa kemi informata personi i dyshuar është arrestu por nuk kemi informata se çka është ndërmarrë tjetër apo a ka pasur edhe akterë të tjerë në bashkëveprim me të tjerë”, tha Sejdiu derisa shpjegonte se një drejtues i një kompanie jashtë Kosovës kishte kërkuar verifikimin e atyre testeve në laborator.

“Ai ka kërku sqarim dhe kërkesë nëse janë rezultatet tona apo jo dhe në momentin që ne e kemi parë se nuk janë rezultatet tona dhe janë dokumente të falsifikuara si vula, logoja dhe të gjitha të tjerat e kemi raportu rastin në Polici”, vazhdon rrëfimin Sejdiu.

Tutje ai përmend edhe një rast tjetër.

Nga Aeroporti i Shkupit ishte kontaktuar për të verifikuar disa rezultate të testeve të cilat Sejdiu thotë se i kishin falsifikuar qytetarët duke përdorur logon e laboratorit.

“Na kanë kontaktuar Aeroporti i Shkupit për shkak se janë paraqitur tre persona me rezultate tona të cilat janë komplet të falsifikuara. Ata kanë hasur në dyshimet e para, kanë pasë dyshime në orën e pranimit të rezultatit dhe printimit që ka qenë të po të dielës pranimi në ora 8:00 mëngjes e printimi në ora 16:00 kurse qytetarët kanë qenë ka ora 10:00 në aeroportin e Shkupit që nuk ka korrespondu me këtë pjesë. Na kanë kontaktu i kemi vërtetu që janë fals dhe në mënyrë automatike janë arrestu që të tre dhe i kanë dërguar te institucionet tona përkatëse”, tregon tutje Sejdiu deri sa shpjegon edhe se pas verifikimit që testet nuk janë nga laboratori “Olive” personat e dyshuar janë arrestuar.

Ai tutje shpjegon edhe se rastet e raportuara janë për qytetarët që qëllim kanë pasur udhëtimin jashtë vendit e të cilët është dashur të kalojnë në sistemin e sigurisë me test PCR për shkak të masave të vendosura nga ana e shteteve të ndryshme.

“Realisht laboratorët nuk falsifikojnë rezultate, problemi mundet me qenë te grupet kriminale në këtë rast apo sido që mund t’i quajmë. Dëmtimi i të gjithë laboratorëve është i madh sepse mundet me ndiku jashtëzakonisht shumë sepse ne si laboratore jemi mundu me i rrit kualitetin dhe cilësinë”, tregon Sejdiu.

Personat të cilët kapen apo arrestohen duke falsifikuar rezultatet PCR për COVID-19 rrezikojnë në disa pika përfshirë këtu edhe shëndetin e qytetarëve duke prezantuar rezultate jo të vërteta por të rreme.

“Këta persona duke përdorur teste me rezultate të falsifikuara vënë në rrezik krejt shëndetin publik të vendit dhe rrezikojnë me u bë shpërndarës masivë të sëmundjes. Në anën tjetër rreziku më i madh është pasojat juridike të cilave këta persona munden me ju nënshtru”, tregon zyrtari ligjor në KALLXO.com, Labinot Leposhtica.

Madje ai përmendi edhe se për shkak të procedurave juridike, hetimit dhe veprimeve të tjera, mërgimtarët por edhe shtetasit e Kosovës të cilët dyshohen se kanë kryer vepra të tilla rrezikojnë që t’u konfiskohet pasaporta dhe të mos munden të udhëtojnë jashtë vendit për një kohë të gjatë.

Një tjetër drejtor i një laboratori në Pejë, Bujar Rexhaj, ka rrëfyer se si një agjenci turistike kishte falsifikuar rezultatet e testeve PCR duke përdorur të dhënat e laboratorit “BioHit”.

Madje Rexhaj thekson se në kohën kur janë kryer falsifikimet nga agjencia turistike, laboratori që drejton nuk ka qenë i licencuar të kryejë teste PCR për COVID-19.

“Më tregoi një pacient që një familjar i tij kishte marrë një rezultat te ne. Më tregoi rezultatin dhe aty ai falsifikuesi të cilin tash organet e drejtësisë vetëm janë në njohuri me rastin, e pamë që ai e kishte bërë një vulë që dallohet se nuk i përket institucionit tonë është një vulë e vitit 2017 të cilën ai nuk e di qysh ka arrit me bë. Testi dallohet që është fals dhe është në atë kohë kur është bërë testi fals ne nuk kemi qenë të licencuar për PCR test”, tregon Rexhaj.

Tutje ai thotë se pret nga organet e rendit që rastet të trajtohen pasi që është dëmtuar edhe imazhi  i laboratorit.

“Në bazë të informacioneve që na kanë ardhur (agjencia turistike) kanë falsifikuar një numër të madh të testeve. Na funksionojmë prej vitit 2004 dhe ka ndiku negativisht në atë arsyen sepse njerëzit thonin se pse dikujt po i bëni teste dikujt jo”, tregon Rexhaj.

Prokuroria në Pejë vetëm se ka nisur hetimet për rastin e falsifikimit ku u përdorën edhe të dhëna të laboratorit “BioHit” ndërsa zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi shpjegoi se cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për rastin.

“Fillimisht është raportu Policia e Kosovës nga disa palë dhe pas koordinimit me prokurorin e shtetit janë marrë edhe veprimet konkrete, janë arrestuar të dyshuarit njëri i gjinisë mashkullore njëri i gjinisë femërorë, me një biznes në Pejë. Personat e dyshuar dyshohet se kanë keqpërdorur një vulë të një institucioni mjekësor që është licencu për teste për COVID-19, personat dyshohet se kanë keqpërdorur vulën në mënyrë të kundërligjshme”, tha Nikçi.

Policia e Kosovës ka hetuar pesë raste të ngjashme që kanë të bëjnë me testet për COVID-19.

Rastet që po trajtohen nga Policia e Kosovës janë – falsifikim i dokumenteve, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, -keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe -marrja e ryshfetit.

“Të gjitha hetimet dhe veprimet policore janë realizuar konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ku deri më tani, për  një ( 1) rast është ngritur Kallëzim Penal,  për një (1) rast tjetër është  dërguar raport në Prokurori për veprimet e Policisë dhe tri (3) raste janë nën hetime”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës për KALLXO.com.