Foto: Ilustrim

Pamje mërgimtarit i kërkohen 20 euro testin e Covid 19

Pas raportimit të KALLXO.com në Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës është arrestuar laboranti i IKShPK-së, i cili merrte ryshfet nga qytetarët për t’i futur pa rend në listën për t’u testuar për COVID-19.

Xhirimet e kryera nga gazetarja e KALLXO.com, që ishte paraqitur si qytetarë në nevojë për të kryer testin në IKShPK, kanë rezultuar me arrestimin e laborantit.

Gazetarja e KALLXO.com para se t’ia jepte 20 euro, ato para i kishte fotografuar dhe ia kishte dorëzuar numrin serik Policisë dhe Prokurorisë.

Policia e Kosovës, në momentin e parë, i kërkon laborantit t’i nxjerrë paratë nga xhepi dhe pasi që e verifikon se 20 eurot e ryshfetit janë në xhep, e njofton me të drejtat e tij dhe fillon procedurën e arrestimit.

Laboranti nuk reziston, por u paraqet një lutje zyrtarëve policor. Ai u kërkon të mos i vihen prangat.

“A bon mos me m’i vnu prangat”, dëgjohet duke thënë laboranti.

“Jo, s’bon. Duhet me i ndjek procedurat”, dëgjohet duke thënë pjesëtari i Policisë së Kosovës.