Ky është vendimi i Gjykatës për 2 serbët e dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it

Gjykata e Prishtinës ia ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë dy serbëve të arrestuar të hënën në Zveçan, të cilët dyshohet se u shkaktuan lëndime pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, ekziston dyshimi se të akuzuarit së bashkë me disa të dyshuar të tjerë nga nacionaliteti serb kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe me armë zjarri nga të cilat janë lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Tre prej pjesëatarëve të KFOR-it janë lënduar nga predhat e armëve të zjarrit.

Me këto veprime ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit Kushtetues” si dhe “sulmi ndaj personit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, veprimet e të dyshuarve kanë rrezikuar jetën dhe trupin e pjesëtarëve të KFOR-it, që sipa ligjit vendor dhe instrumenteve ndërkombëtare gëzojnë mbrojtje të posaçme.

Lidhur me këtë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “rrezikim i personave nën mbrojtjen ndërkombëtare”.