Ky është profesori që dha dorëheqje nga Këshilli i Etikës së UP-së

Profesori në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Halil Ibrahimi, ka dhënë dorëheqje nga Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Dorëheqja e një anëtari të këtij këshilli u përmend dje gjatë mbledhjes së Senatit të UP-së dhe gjatë mbledhjes u plotësua vendi në Këshillin e Etikës me anëtarin e ri Anton Vukpalaj, profesor në Fakultetin Filozofik.

KALLXO.com kishte dërguar pyetje dhe sqarime në drejtim të rektoratit të UP-së për të marrë sqarime se cili anëtar i këtij këshilli ka dhënë dorëheqje.

Përmes një përgjigje me shkrim nga Universiteti i Prishtinës kanë bërë të ditur se profesori Halil Ibrahimi ka dhënë dorëheqje, duke mos treguar arsyet e vendimit të tij.

“Ju njoftojmë që profesori që ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës është prof. asoc. dr. Halil Ibrahimi’, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, vet Ibrahimi në një bisedë për KALLXO.com tha se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për arsye personale.

“Kam dhënë dorëheqje për disa arsye personale. Nuk është që kam pasur ndonjë ndikim apo diçka të tillë, por vetëm për arsye personale”, tha Ibrahimi.

KALLXO.com raportoi dje për emërimin e anëtarit të ri të Këshillit të Etikës së UP-së.

Këshilli i Etikës i UP-së është organ i cili merret me monitorimin e zbatimit të Kodit të Etikës së UP-së. Ky Këshill përbëhet nga 5 anëtarë që janë mësimdhënës të UP-së.

Anton Vukpalaj emërohet anëtar i Këshillit të Etikës të UP-së