Ky është arsyetimi i Komunës së Prishtinës për çmimet e larta për parkingun nëntokësor

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media është deklaruar pas reagimeve për çmimet e larta që do të aplikohen në parkingun nëntokësor.

Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama është arsyetuar me faktin se në këtë projekt kanë të bëjnë me partneritet publiko-privat dhe se Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.

Sipas kumtesës, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh “investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”.

“Duam t’Ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira.
Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut” – thuhet në komunikatë.

“Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”- thekson Komuna.

Komuna thotë se qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe shton se Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë” – thuhet në njoftim.

Punimet në parkingun nëntokësor te Fakultetit Filologjik në Prishtinë pritet të përfundojnë këtë muaj.

Sipas të dhënave, çmimet variojnë nga 15 dita në 2,500 euro abonimi vjetor.

Qëndrimi deri në 15 minuta në këtë parking është pa pagesë, një orë kushton një euro, kurse për 12 orë, çmimi është 10 euro e 40 centë. Derisa, 15 euro kushton parkimi për 24 orë.

Abonimi javor në këtë parking është 90 euro, kurse abonimi mujor 250 euro.

Para kamerës së KALLXO.com qytetarët i kanë konsideruar çmimet si të larta.