Kuvendi zgjodhi vetëm dy anëtarë joekzekutivë të bordit të BQK-së, përfundon seanca në mungesë kuorumi

Kuvendi i Kosovës i ka përzgjedhur pjesërisht kandidatët për anëtarë joekzekutivë të bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nga dy lista të ndara, njëra me emrat e kandidatëve për 1 anëtar, ndërsa tjetra me emrat e kandidatëve për 2 anëtarë. Dy anëtarët e zgjedhur janë Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari.

Vazhdimi i seancës me procesin e votimit nuk u mundësua për shkak të mungesës së kuorumit. Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci tha se seanca do të vazhdojë gjatë javës së ardhshme.

Në votimin e fshehtë të deputetëve për listën me kandidatët e propozuar për 1 anëtar joekzekutiv të BQK-së, më së shumti vota ka marrë kandidati Bashkim Nurboja.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 5 fletëvotime. Bashkim Nurboja ka fituar 51 vota, Bedri Peci 12 vota, But Dedaj 11 vota, Kosovare Ukshini 2 vota, Mimoza Mustafa 5 vota. Komisioni ka konstatuar se kandidati Bashkim Nurboja ka fituar votat e mjaftueshme”, ka thënë deputeti Salih Zyba nga LVV-ja nga komisioni ad-hoc.

Ndërkaq nga lista për kandidatët e propozuar për 2 anëtarë joekzekutivë të bordit të BQK-së, është zgjedhur vetëm një kandidat, ndërsa për kandidatët e tjerë do të rivotohet sërish në seancën e radhës.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Nora Latifi-Jashari kalon, ka marrë 45 vota ndërsa për Driton Balaj dhe Imrie Zeqiri votohet vetëm për këta dy dhe pastaj votohet sërish me njërin prej tyre që merr më së shumti vota, në garë me kandidatin Nuhi Ahmeti. Behgjet Brajshori 11 vota, Driton Balaj 15 vota, Edona Uka 10 vota, Imri Zeqiri 15 vota, Nuri Ahmeti 18 vota, Petrit Gashi 8. Të pavlefshme janë 7 fletëvotime”, tha deputetja Valentina Bunjaku nga LDK-ja, pjesë e komisionit përzgjedhës.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se për këtë pikë janë propozuar dy lista nga paneli përzgjedhës i Bankës Qendrore të Kosovës, lista me 7 kandidatë për dy pozita dhe lista me 5 kandidatë për 1 pozitë.

Kandidatët e propozuar për 2 anëtarë joekzekutivë të bordit të BQK-së janë: Behgjet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci-Uka, Imrie Zeqiri, Nora Latifi-Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi.

Ndërkaq, kandidatët e propozuar për 1 anëtar joekzekutiv të BQK-së janë: Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.