Kuvendi zgjodhi dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Ndërsa ka dështuar përzgjedhja për pozitën e anëtarit të KGJK-së nga radhët e komuniteteve tjera.

Fillimisht, u votua për zgjedhjen e kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve të komunitetit serb. Në votim morën pjesë 88 deputetë prej tyre 10 nga komuniteti serb.

Kandidati Nikolla Kabashiq ka fituar 57 vota, prej tyre 10 nga komuniteti serb dhe me këtë rezultat, Kabashiq është zgjedhur anëtar i KGJK-së.

Ndërkaq kundërkandidati i tij, Jovica Mitroviq, ka marrë 9 vota për kurse 22 vota janë shpallur të pavlefshme.

Kabashiq ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Më pas është votuar për zgjedhjen e një anëtari jo gjyqtar nga komuniteti serb. Kandidatja Adrijana Miletiq ka fituar 68 vota, prej tyre 10 nga komuniteti serb. Me këtë rezultat Miletiq është zgjedhur anëtare e komunitetit serb nga radhët e jogjyqtarëve në KGJK.

Kundërkandidatja e Miletiqit, Ivica Ivanovic ka fituar 6 vota për ndërsa 14 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Nga radhët e komuniteteve të tjera, Sadeta Fazli ka fituar 23 vota, prej tyre tre vota nga deputetët e komuniteteve tjera joshumicë dhe Ahmet Imami 54 vota, prej tyre dy vota nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.

Sipas këtij rezultati, Kuvendi ka konstatuar se për pozitën e anëtarit të KGJK-së nga radhët e komuniteteve të tjera të rishpallet konkursi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga 13 anëtarë. Pesë anëtarë janë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqësori, katër anëtarë (dy prej të cilëve duhet të jenë gjyqtarë) i zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët i mbajnë vendet e fituara, dy anëtarë (njëri duhet të jetë gjyqtar) i zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët i mbajnë vendet e rezervuara nga komuniteti serb, ndërsa dy anëtarët (njëri nga ana duhet të jetë gjyqtar) e fundit i zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët janë përfaqësues të komuniteteve të tjera joshumicë.