Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi zgjedh një anëtar të KGJK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë.

93 deputetë kanë marrë pjesë në votim për zgjedhjen e kandidatëve Ahemt Imami dhe Erkan Nobërdali.

Kandidati me më shumë vota ishte Ahmet Imami, i cili fitoi 79 vota, prej tyre 7 nga deputetët e komuniteteve tjera jo shumicë.

Ndërkaq kandidati Erkan Nobërdali i ka fituar 7 vota dhe prej tyre asnjë votë nga deputetët prej komuniteteve tjera.

Kryepalamentari, Glauk Konjufca ka konstatuar se kandidati i përzgjedhur për anëtar në KGJK është Ahmet Imami pasi ka marrë votat e nevojshme.

Ndërkaq, nga radha e komunitetit shumicë shqiptar kandidatët Besnik Bislimaj dhe Alban Ajvazi nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme që të përzgjidhen si anëtarë të KGJK-së.

Në raundin e parë Besnik Bislimaj ka fituar 46 vota dhe Alban Ajvazi 25, ndërkaq 22 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Ndërsa në raundin e dytë, kanë marrë pjesë në votim vetëm 46 deputetë dhe nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje.

Konjufca tha se procesi i votimit kur nuk ka kuorum, bartet në seancën tjetër.