Kuvendi zgjedh drejtorët e KOSTT-it

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy drejtorët e Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i ka rekomanduar Kuvendit që të zgjedhë njërën nga kandidatet e propozuara për plotësimin e kuotës gjinore për drejtor të bordit të KOSTT-it për pjesën e mbetur të mandatit.

Dy emrat e propozuar nga komisioni janë Liza Marku dhe Anita Cucoviq.

Me 73 vota, kandidatja Liza Marku është zgjedhur drejtoreshë e ndërmarrjes KOSTT sipas kuotës gjinore, ndërsa Anita Cucoviq ka fituar 6 vota.

83 depuetë kanë votuar ndërkaq katër fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Tutje Komisioni pas shqyrtimit të raportit e panelit përzgjedhës për plotësimin e drejtorit të bordit të ndërmarrjes  KOSTT nga radhët e komuniteteve jo shumicë, i ka propozuar Kuvendit të zgjedhë njërin nga dy kandidatët e propozuar; Hajrije Shkrelaj dhe Sead Mujovi.

Me 58 vota, kandidati nga radhët e komuniteteve jo shumicë, Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i ndërmarrjes KOSTT, ndërsa Hajrije Shkreli  ka fituar 23 vota.

83 deputetë kanë marrë pjesë në votim dhe të pavlefshme kanë qenë dy vota.

Në korrik të vitit 2020 Kuvendi i Kosovës i kishte zgjedhur vetëm dy drejtorë të bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT).

Në bord ishte zgjedhur, Jeton Mehmeti që ka marrë 63 vota të deputetëve. Kurse, drejtor i bordit ishte zgjedhur edhe Arben Dodaj me 56 vota të deputetëve.