Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Kuvendi voton sot Projektligjin për buxhet

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.

Në rend të ditës është edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projektligji për buxhetin është dërguar në Kuvend nga ana e Qeverisë tashmë në largim dhe ka qenë në shqyrtim te Komisioni për buxhet dhe transfere.

Kuvendi i Kosovës pritet të shpërndahet, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, javën e kaluar, e ka shpallur jokushtetuese mënyrën se si është zgjedhur Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë bërë thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ky ligj nuk mund të zbatohet më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. /REL