Kuvendi tregon kush votoi për, kundër e kush mungoi në seancën për votimin e Qeverisë Hoti

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me rezultatin e votimit në seancën e sotme të Kuvendit.

Zyra  e Sekretarit ka bërë të ditur se për shkak të interesimit të madh të mediave dhe kohës së gjatë deri në nxjerrjen e transkriptit, po pasqyrojnë rezultatet e votimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë, sipas grupeve parlamentare.

Sipas komunikatës, nga Grupi Parlamentar i LDK-së prezentë kanë qenë 26 deputetë, ku kanë munguar deputetët Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli

Votimi i LDK-së ka qenë 25 vota për dhe 1 abstenim.

Sekretariati tutje ka njoftuar se nga Grupi Parlamentar i PDK-së prezentë kanë qenë 24 deputetë dhe të gjithë kanë votuar kundër formimit të qeverisë.

Nga Grupi Parlamentar i AAK-së prezentë në sallë kanë qenë 13 deputetë, 12 prej të cilëve kanë votuar për, kurse deputetja Donika Kadaj-Bujupi e ka liruar sallën në kohën e votimit.

Kurse nga Grupi Parlamentar Nisma- AKR, prezentë kanë qenë 6 deputetë dhe të njëjtit kanë votuar për.

Sipas njoftimit edhe 10 deputetët e Listës Serbe kanë votuar për formimin e qeverisë Hoti.

Nga minoritetet jo serbe prezentë kanë qenë 8 deputetë, pasi kanë mungruar deputetët Zikreta Aliti dhe Elbert Krasniqi. 8 deputetët kanë votuar për.

Kjo zyrë përmes një komunikate ka theksuar se bazuar në praktikën e deritashme të Kuvendit, votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të qeverisë, bëhet me dorë.

Rrjedhimisht, sipas tyre Kuvendi nuk ka mbajtur as nuk mban evidencë me emra të deputetëve, të cilët marrin pjesë në këto votime.

Në seancën e sotme për formimin e qeverisë, në Kuvend kanë qenë prezentë 86 deputetë, 61 kanë votuar për, 25 kundër dhe 1 ka abstenuar.

Votohet Qeveria e Avdullah Hotit

.