Kuvendi tenton sërish të vendosë për tërheqjen e parave të Trustit

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi ka kërkuar që në seancën e sotme të dalin për votim sërish disa pika që nuk kanë arritur të kalojnë në seancën e kaluar, përfshirë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Në këtë projektligj parashihet edhe ndryshimi ligjor që do të mundësonte tërheqjen prej 10 për qind të mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust, nga ana e qytetarëve.

“I propozoj seancës që pas votimit të Avokatit të Popullit t’i përsërisim votimet që kanë mbetur hapur dhe të tentojmë që çështjet që janë të hapura të mbyllen. Pra kërkoj që në fund, të hyjmë në votim për çështjet që kanë mbetur nga seancat e kaluara me prioritet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike”, tha Gashi.

Propozimi është përkrahur edhe nga LVV-ja, PDK-ja dhe AAK-ja.

Projektligji në fjalë dhe disa pika të tjera, janë futur në rend të ditës.

Për herë të tretë radhazi brenda ditës nuk kishte arritur të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike në Kuvendin e Kosovës të premten e kaluar.

Në këtë seancë dështoi të votohet edhe Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.