Kuvendi të premten pritet të votojë për anëtarët e Bordit të AKP-së

Kuvendi i Kosovës, ditën e premte, pritet të vendos në rend të ditës, votimin për anëtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, emrat e të cilëve janë propozuar gjatë ditës së sotme nga Qeveria e Kosovës.

Mimoza Kusari – Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit ka marr vendim që të premten e kësaj jave të mbahen dy seanca, e në njëren nga to, pritet të votohen emrat e anëtarëve të Bordit të AKP-së.

“Kryesia e Kuvendit ka marr materialin nga Qeveria për miratim të anëtarëve të propozuar për Bordin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe kjo pikë pasi të miratohet në Komisionin për Ekonomi do të jetë pikë e rendit të ditës më 6 gusht në seancën e re plenare”, tha Kusari – Lila.

Mbledhja e parë plenare, do të filloj nga ora 11:00 me vazhdimin e pikave të papërfunduara, kurse menjëherë pas kësaj seance, Kusari tha se do të fillojnë me seancën e re.

“Seanca e re e cila përveç pikave të zakonshme, do të ketë në agjendë edhe shqyrtimin e dy projektligjeve të reja, atë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe shqyrtimi i projektligjit për mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve”, ka njoftuar Kusari – Lila.

Ajo tregoi se synojnë që të si pozitë të kenë takim koordinues me shefat e grupeve parlamentare një ditë më herët në mënyrë që të miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe që ta kenë mbështetjen edhe të pozitës edhe opozitës në seancën e 6 gushtit.