Kuvendi të premten mban interpelancë me ministrin Murati për ndalimin e pagave për grevistët

Kuvendi i Kosovës të premten do të mbajë interpelancë me ministrin e Financave Hekuran Murati për çështjen e ndalimit të pagave për grevistët.

Interpelanca është thirrur nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo interpelancë që ndërlidhet me vendimin e Muratit për ndalimin e pagave dhe sipas tij, presionin në pushtetin lokal gjatë grevës.

“Për AAK-në është jashtëzakonisht e rëndësishme pika e parë që ka të bëjë me interpelancën për ministrin Murati, që ndërlidhet me vendimin e tij arbitar për ndalimin e pagave, për presionin në pushtetin lokal gjatë grevës dhe për ndërhyrjen në autonominë e komunave në atë kohë”-ka thënë ai.

Sipas Tahirit ndalimin e pagave është hakmarrje politike ndaj një kërkese që buron nga një organizim sindikal.

“Presoni politik jo vetëm pesë javë, ka filluar që nga dita e parë, vazhdon me ndalimin e pagave, do ta trajtojmë edhe në interpelancë, në esencë është një hakmarrje politike ndaj një kërkesë që buron nga një organizim sindikal”- ka thënë Tahiri.

Interpelanca është kërkesë e posaçme që i bëhet qeverisë ose një ministri të saj nga ana e deputetëve të parlamentit për të dhënë shpjegime për një çështje.

Deputeti Besnik Tahiri sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tutje tha se AAK do të ngritë në Kuvend edhe çështje që kanë të bëjnë me Ligjin për zyrtarë publik të miratuar në Qeveri.

“Si AAK do ta ngritim si çështje në Kuvend ka të bëj me ligjin për zyrtarë publik të miratuar në Qeveri, kemi të bëjmë me një ndërhyrje flagrante që tash e 20 vjet nuk ka ndodh, ndërhyrje në stafin dhe shërbimin civil përmes cenimit të kontratave të tyre dhe caktimin e afateve”-ka thënë Tahiri.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), ka pezulluar të shtunën grevën e përgjithshme pas më shumë se një muaji.

Mësimdhënësit ende në pritje të daljes së pagave