Foto: Ilirjana Hoti/KALLXO.com
Kuvendi sot shqyrton buxhetin për vitin 2025
Kuvendi i Kosovës, sot [11.11.2024] do të mblidhet për të diskutuar për buxhetin e vitit 2025, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë.
Qeveria me 30.10.2024 ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025, në vlerë prej 3.6 miliardë eurove, kurse ky do të jetë shqyrtimi i parë në Kuvend, pas miratimit në Komisionin për Buxhet.
Gjatë miratimit në Qeveri, kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.
Kurti kishte bërë të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.
Në anën tjetër, shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me 04.11.2024, tha se për katë vite me radhë opozita nuk ka marrë pjesë në votimet për buxhet.
Ndërsa dy shefat e dy grupeve parlamentare të partive opozitare, LDK dhe AAK, apriori e kundërshtuan këtë Projektligj.
“Sipas bindjeve tona do të jetë buxhet jetëshkurtër sepse qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet ta rishikojë dhe të jap një buxhet zhvillimor. Të jap një buxhet ku rriten pagat, ku rritet mirëqenia dhe ekonomia e Kosovës. Ne nuk do ta votojmë buxhetin. Ky buxhet i ka edhe dy probleme ligjore dhe kushtetuese”- tha Arben Gashi i LDK-së.
E si “mbytje të zhvillimit ekonomik”, buxhetin e vitit 2025 e ka cilësuar edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri .
“Buxheti e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Ua ka varros shpresën 80 000 njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjetetshme. Është buxhet që nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm. Nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. E mira e kësaj pune është që 9 shkurt janë zgjedhjet dhe do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo qeveria [më pas] duhet ta rishikojë në plotëni këtë buxhet”- ka deklaruar Tahiri.
Kurse deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e kishte quajtur “buxhet të mbijetesës e aspak zhvillimor”.
“S’e votojmë, buxhet i keq, i mbijetesës”, deputeti Lushtaku ballafaqohet me ministrin Murati