Ilustrim

Kuvendi sot pritet të votojë për emërimin e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave në KPM

Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të deputetëve në procesin e votimit, Kuvendi i Kosovës të mërkurën vendosi që ta shtyjë për sot (e enjte), emërimin e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Pasi u themelua komisioni i votimit, kryetari Glauk Konjufca ftoi deputetët që sipas rendit alfabetik të votojnë për emërimin e këtij anëtari, por pas përfundimit të procedurës u konstatua që në votim morrën pjesën vetëm 60 deputetë.

“Nga 120 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës, në votim kanë marrë pjesë vetëm 60 deputetë. Konsideroj që nuk ka pasë kuorum”- tha deputetja Ganimete Musliu.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se kjo pikë e rendit të ditës do të vazhdojë nesër (e enjte) pas shqyrtimit të rezolutës së PDK-së për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë.

Në garë për pozitën e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave janë Granit Mavriqi dhe Martin Komani.

Bordi i Ankesave për Media që nga 15 marsi i vitit 2021, ka mbetur jofunksional, pasi mungon njërin nga tre anëtarët.

Sipas të dhënave në këtë bord gjatë vitit 2021 janë pranuar 21 ankesa, ndërsa gjatë vitit 2022 janë pranuar 26 ankesa, të cilat kanë mbetur të pa shqyrtuara.

KPM është edhe kategori kushtetuese, që përbëhet prej Bordit të KPM-së dhe Bordit për Ankesa të Mediave.

Të enjten, anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është zgjedhur kandidatja Luljeta Aliu – Krasniqi.

Ndërsa, për dy anëtarë të tjerë të këtij komisioni, asnjë nga katër kandidatët nuk arritën të marrin votat e nevojshme për tu emëruar në këtë pozitë.

Zgjedhja e Aliu-Krasniqit nxiti reagime në vend.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka vlerësuar se votimi i Luljeta Aliu-Krasniqit si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media tregon qëllimin e kësaj partie për të vënë nën kontroll mediat.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me emërimin e Luljeta Aliu-Krasniqit si anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave, Qeveria dëshmoi se është në mision për pengim të fjalës së lirë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të mbajë duart larg nga mediat.

Vizitat e deputetëve jashtë shtetit dhe mungesa e tyre në seancë e ka shtyrë për disa herë vendimmarrjen se kush duhet të jetë anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Në kohën e dezinformatave, deputetët në udhëtime e me mungesa lënë KPM-në pa bord