Kuvendi s’ka kuorum t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum t’i shqyrtojë tri marrëveshje ndërkombëtare sipas rendit të ditës, në kohën kur nisi vazhdimi i seancës.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se do të vazhdohet me pikat tjera, ku nuk kërkohen votat e 80 deputetëve.

“Vetëm 68 deputetë në sallë. Vazhdojmë me pikën 8”, tha ai.

Tri projektligjet të cilat nuk arritën të shqyrtohen janë: Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II); Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)    (ada numri referues 8116-00-2020)”; dhe Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Kuvendi tashmë po shqyrton pikën e 8-të, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.