Ilustrim

Kuvendi s’ka kuorum për ta nisur seancën

Kuvendi i Kosovës nuk ka kuorumin e nevojshëm për të nisur seancën e parë të thirrur për sot.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani kërkoi nga grupet parlamentare që t’i kontaktojnë deputetët për tu paraqitur në sallë.

“Të nderuar deputetë, akoma nuk kemi kuorum për të filluar seancën. I lus kryetarët e grupeve që t’i kontaktojnë deputetët e secilit grup në mënyrë që të vijnë në sallë dhe të fillojmë”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për mbajtjen e dy seancave. Në seancën e parë, e cila është vazhdim, në rend të ditës është votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo seancë është thirrur për në orën 09:00.

Ndërkaq, në seancën e dytë të thirrur për në orën 10:00, në rend të ditës janë tri interpelanca të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Interpelanca e parë është thirrur në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e dyta ka të bëjë me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik” dhe e treta është  në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.