Foto: Denis Sllovinja

Kuvendi s’ka kuorum për emërimin e anëtarëve të bordit të OShP-së

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje për listën me emrat e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër, ndërkaq partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Konstatoj që vetëm 52 deputetë kanë votuar në këtë seancë, pra Kuvendi nuk ka pasur kuorum për të marrë vendim”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Votimit i parapriu diskutimi dhe polemikat mes partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare.

Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për mosshfaqje të qëndrimit nëse e përkrahin ose jo listën e propozuar në legjislativ për anëtarët e bordit të OShP.

Në seancë u bë e ditur se kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7 pikë, Faruk Rexhaj 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.

Polemika në Kuvend për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OShP-së