Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi shmang dërgimin në Kushtetuese të ligjit për buxhetin, miraton amendamentin e LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që nga Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 të hiqet fjalia, “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 të pashpenzuara të barten në bilancin bankar”, te paragrafi 6 i nenit 9 të ligjit.

Pasi, sipas Gashit, kjo fjali, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal.

“Ne konsiderojmë se nëse mbetet në këtë mënyrë të tillë është dëmtim i buxhetit komunal dhe shkelje e Kushtetutës”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se “LDK-ja do ta dërgojë në Kushtetuese”.

Megjithatë, Kuvendi ka shmangur dërgimin në Kushtetuese të ligjit për buxhetin pasi deputetët kanë votuar pro amandamentit të deputetit Gashi duke hequr kështu fjalinë e lartcekur nga projektligji.

Para votimit, lidhur me ketë është deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se ky nen nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Fjalia për të cilën deputeti Gashi thotë se është problematike dhe në kundërshtim me Kushtetutën ne si Ministri e financave nuk e konsiderojmë si të tillë, përkundrazi vetëm një rregullim i cili i përgjigjet kërkesës së Grupit parlamentar të LDK-së. Nëse kthehemi prapa, kërkesa e GP të LDK-së ka qenë pse nuk po shpenzohen mjetet e bilancit bankar”, ka thënë Murati.

Në një kundër-replikë, deputeti Gashi ka thënë se logjika e ministrit Murati është primitive. Ai ka thënë se prej janarit për shkak të krizës komunat, të gjitha kanë kërkuar që të shqyrtohet ligji i prokurimit për të cilën ka thënë se ka përgjegjësi Qeveria.

“Me këtë logjikën e ministrit po i bie, po u marrim komunave këto 600 tjera po i lëmë në bilanc, ku me i qu, se kanë mbetur bilanc, po i marrim edhe këto edhe po i çojmë diku, me këtë logjikën e tij jo institucionale, jo shtetërore, e cila realisht është logjikë primitive. Prej janarit për shkak të krizës komunat, të gjitha kanë kërkuar që të shqyrtohet ligji i prokurimit dhe të merret parasysh që të kemi me shpenzimin e parasë publike. Këta e kanë sjellë në nëntor ligjin”, ka thënë Gashi.

Kuvendi po e shqyrton në lexim të dytë të projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Më 17 nëntor, deputetët e Kuvendit e kanë miratuar në parim buxhetin për Kosovën për vitin 2023.

Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.