Peticioni për Trustin në Kuvend, 15 korrik 2022 - Foto: KALLXO.com

Kuvendi procedon për mendim në Qeveri Projektligjin për Trustin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme, ka proceduar për mendim në Qeverinë e Kosovës, Projektligjin që do të mundësonte tërheqjen e një pjese nga Fondi i Kursimeve Pensinale – Trust, pas dorëzimit të peticioneve nga qytetarët, në legjislativ.

Gjithashtu u procedua edhe projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

“Në këtë mbledhje Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftim. ​

Projektligji për Trustin, përmes të cilit kërkohet që qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 30 për qind të kursimeve pensionale, ka dështuar të votohet më 23 qershor.

44 vota të partive opozitare ishin pro këtij Projektligji derisa 57 deputetë të pozitës kanë votuar kundër. Vetëm një ka abstenuar.

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional të Kosovës ishte iniciuar nga PDK-ja derisa ishte përkrahur nga partitë e tjera opozitare. Ndërkaq, LVV, ka dalë kundër.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës  u dorëzuan nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.

Njëri nga organizatorët, Adnan Jashari ka dorëzuar peticionin me nënshkrimet e qytetarëve në Kuvend.