Ilustrim

Kuvendi përmbylli sesionin pranveror me 22 seanca

Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror, me ç’rast ka renditur punët që janë kryer gjatë këtij sesioni.

Gjatë këtij sesioni, Kuvendi vë në pah se ka mbajtur gjithsej 22 seanca, gjatë të cilave ka miratuar 36 ligje, përfshirë këtu marrëveshjet ndërkombëtare. 

Po ashtu, Kuvendi njofton se gjatë kësaj kohe kanë miratuar shtatë deklarata, gjashtë rekomandime, një rezolutë dhe një statut. 

Ndërsa sipas rolit të tij mbikëqyrës njofton se ka adresuar 110 pyetje për anëtarë të kabinetit qeveritar, janë mbajtur 12 mbledhje të Kryesisë, në të cilat janë marrë 138 vendime, janë nxjerrë 17 përfundime dhe janë miratuar tri rregullore të brendshme. 

Kurse për komisionet parlamentare Kuvendi njofton se kanë mbajtur gjithsej 185 mbledhje, duke u propozuar seancës për shqyrtim 43 projektligje dhe 736 amendamente. 

“Komisionet parlamentare gjithashtu kanë shqyrtuar 15 raporte të institucioneve të pavarura”- shkruan në njoftimin e Kuvendit.

Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione, në sesionin pranveror dhe në sesionin vjeshtor. Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, ndërsa sesioni vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator.

Gjatë këtyre periudhave kohore, seancat plenare mbahen së paku dy herë në muaj, e ato mund të zgjasin më shumë se një ditë.