Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum për të proceduar rezolutën për rritjen e çmimeve

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur që të hedhë në votim rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimeve.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, konstatoi se vetëm 57 deputetë janë të pranishëm në sallë dhe se për mbajtjen e seancës së radhës do të njoftojë në ditët në vijim.

Në pjesën e dytë të seancës, u diskutua rreth rezolutës së LVV-së për adresimin e rritjes së çmimeve,

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo çfarë LVV po propozon është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend.

“Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.

Kundër kësaj rezolute janë deklaruar partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se mazhoranca ka shumë numra por nuk ka kuorum zakonisht për me miratimin e ligjeve.

“Një qeveri e tillë, të dashur qytetarë, numrat i ka, por karakter jo. As dije as vetëdije. As guxim, as veprim”, ka thënë ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje Qeverisë që të zbatojnë rekomandimin për pezullimin e akcizës së naftës.

“Ju bëjmë thirrje Qeverisë që të zbatojnë rekomandimin tonë për pezullimin e akcizës së uljen e TVSH-së për produktet e naftës. Grupi jonë parlamentar do të votojë kundër sepse është rezolutë koti”, ka thënë Bajrami.

Ndërkaq Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ministrat që e udhëheqin ekonominë janë armiqtë më të mëdhenj të Qeverisë, sipas tij duke mosbërë asnjë veprim dhe duke mos marrë masa.

“Duhet të obligojmë përmes kësaj rezolute Qeverinë, që të bëjë përkrahje të drejtpërdrejtë tek sektori ekonomik përmes politikave fiskale dhe ekonomike më saktësisht me largimin e akcizës për pesë muaj, lehtësimin fiskale për ekonomi për pesë muaj, produktet bazë të vendoset tavani, ligji i pagave të hyjë në zbatim në shtator e që zoti e din kur vjen në fuqi, paga minimale të rritet dhe e fundit më e rëndësishmja, përpilimi i masave emergjente në sektorin e energjisë”, ka thënë Tahiri.

Më 30 qershor Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të hartohet një projektligj që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë me 8%.