Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, nuk votohet rezoluta e PDK-së për gjendjen në sektorin e shëndetësisë

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum që të hedhë në votim rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë në vend.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin vetëm 46 deputetë.

Për vazhdimin e kësaj seance për të trajtuar pikat e mbetura, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, tha se do të vendoset në mbledhjen e Kryesisë.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK:

  1. Kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të marr vendimin për evitimin e menjëhershëm të mbivendosjes institucionale në sektorin e shëndetësisë duke i anuluar vendimin për themelimin e komitetit ekzekutiv për shëndetësi;
  2. Kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, që në afat prej 15 ditëve, nga miratimi i rezolutës të dërgohet në Kuvend, raporti i detajuar sektorial i cili pos tjerash përfshinë: nivelin e zbatimit të buxhetit për vitin 2022, nivelin e zbatimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, masat dhe veprimet që janë ndërmarrë në funksion të zbatimit të planit të punës së Qeverisë dhe adresimin e sfidave që karakterizojnë këtë sektor;
  3. Kërkohet nga Qeveria e Kosovës ta sjellë raport të detajuar për arsyet e dorëheqjes së Rifat Latifit nga pozita e ministrit të shëndetësisë;
  4. Obligohet Qeveria e Kosovës që në afat prej 15 ditëve të rrisë pagat për të gjithë profesionistët shëndetësorë ku paga e mjekut specialist të jetë 1800 euro dhe kjo të jetë baza për të gjithë profesionistët shëndetësor bazuar në kategorizimin aktual, sistemin e pagave në Ministrinë e Financave;