Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, mbesin pa u shqyrtuar pikat e papërfunduara të 4 seancave

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është karakterizuar me mungesë të kuorumit për t’i votuar pikat e rendit të ditës të cilat janë bartur si të pa përfunduara nga pesë seanca të kaluara, në mesin e tyre edhe pika nga seanca e muajit janar.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e mbylli seancën pas disa minutave pritje që deputetët të mblidheshin për shqyrtimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, cili nuk arriti votat e mjaftueshme për t`u hedhur në votim.

Konjufca, punimet i nisi me numër të mjaftueshëm të deputetëve për të filluar seancën, por kuorumi mungoj kur u hodh në votim pika e parë e rendit të ditës për të cilën votuan vetëm 58 deputetë.

Pasi u mblodhën deputetët, Kuvendi arriti të miratojë disa raporte vjetore, atë të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës dhe raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Ndërsa, me 67 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.

Prej pesë seancave të cilat kishin mbetur pa përfunduara, Kuvendi sot përfundoi pikat e seancës së 19 janarit 2022, dhe dy pika nga seanca e 2 shkurtit, për të vazhduar një ditë tjetër me pikat nga katër seanca tjera të muajit shkurt.

Rendi i ditës së seancës së sotme:

I. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023:

5.    Votimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,
6.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021,
7.    Shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

 

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt 2023:

18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës,
19. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021,
20. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

 

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 9 shkurt 2023:

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

 

IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,
12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

 

V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).