Ilustrimi: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, deputetët marrin rrogat rregullisht

Tri seanca të Kuvendit të Kosovës këtë javë kanë dështuar të mbahen në tërësi për shkak të mungesës së kuorumit.

Veç kësaj, që nga fillimi i sesionit vjeshtor të punës së legjislativit, tash e dy muaj, shumica e seancave janë karakterizuar me mungesë të deputetëve në sallë dhe për vendimmarrje të shqyrtimit të pikave të ndryshme.

Edhe pse shumica e deputetëve po e bojkotojnë punën e legjislativit, kjo gjë nuk po ndodhë me rrogat dhe mëditjet shtesë që ata i marrin, me shifra të konsiderushme. 

Për dy muaj gjatë këtij sesioni vjeshtor, rrogat e 120 deputetëve , i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 371,280 euro.

Paga bazë e deputetit të Kuvendit të Kosovës  1,547 euro, që i bie se për dy muaj një deputet është paguar 3,094 euro.

Përveç pagës bazë, një deputet i Kuvendit të Kosovës merr rreth 500 euro për kompensime shtesë për pjesëmarrje në seanca dhe komisione, që i bie se për çdo muaj ai paguhet rreth 2 mijë euro.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka pezulluar për një javë aktivitetin e saj në Kuvend, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nga Gjykata Speciale.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar se për dy muaj në Kuvend u hartuan e u përcollën shumë projektligje e rezoluta, por pak prej tyre kanë arritur të miratohen.

Monitorues të punës së legjislativit kanë folur për vështirësitë e funksionimit të Kuvendit.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për KALLXO.com se Kuvendi gjatë sesionit vjeshtor, në kuadër të interpelancave dhe debateve parlamentare ka nxjerrë propozim – rezoluta, prej të cilave vetëm një është miratuar ndërkaq edhe nëntë të tjera kanë mbetur në procedurë për miratim për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

“Prej tyre janë pesë rezoluta që lidhen me dialogun Kosovë – Serbi, katër prej të cilave janë propozuar nga VV-ja dhe një nga PDK-ja”, bëri të ditur ajo.

Ndërkaq, sipas saj katër të tjerat lidhen me temat si çështja e Karaçevës, për problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës, për rikthimin në pronat e tyre në atë pjesë, për çështjen e të pagjeturve dhe për masat në luftën kundër kancerit të gjirit.

Kurse, sa i përket projektligjeve, të cilat janë në procedurë për miratim në seancat e mbajtura gjatë këtij sesioni, ajo shtoi se Kuvendi ka aktualisht në procedurë në lexim të parë gjashtë projektligje dhe tri marrëveshje ndërkombëtare financiare.