Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi nuk pati kuorum për të votuar marrëveshjen për “reagim emergjent ndaj COVID-19”

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votoj për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjen kornizë të kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Ministri i Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati arsyetoi këtë projektligj.

Por, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se nuk ka kuorum për vendimarrje pasi janë vetëm 76 deputetë në sallë.

“Këtë pikë e shtyjmë për më vonë”, tha Bogujevci.

Për të arsyetuar nevojën e miratimit të kësaj marrëveshje, Murati tha se ajo do të mundësonte adresimin më efikas të krizës ekonomike dhe krizës së sistemit shëndetit publik.

“Ashtu që ta sigurojmë shëndetin publik dhe të përkujdesemi pastaj edhe për ekonominë, pas pasojave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, ne si Ministri kemi arritur dakordim me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për këtë Marrveshje të amendametimit nr.1.”, tha Murati.

Ai tha se kjo marrëveshje mundëson që të rimburësohet buxheti i Kosovës edhe për shtesat e punëtorëve shëndetësor publik. Sipas tij marrëveshja nuk përmban tarifë zotimi.