Kuvendi nuk ka kuorum për votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare

Me 70 deputetë të pranishëm në sallë Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t`i votoj tri marrëveshje ndërkombëtare.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten së paku 80 deputetë, ose 2/3 e deputetëve.

“Së paku 80 deputetë të pranishëm duhet të jenë për t`u votuar”, tha ajo.

Kuvendi nuk ka arritur t`i votoj këto marrëveshje: Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit. Marrëveshjen e Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Si dhe ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Në mungesë të komunitetit jo shumicë, Nagavci tha se nuk ka kuorum për t`u votuar as projektligji Lirinë Fetare në Kosovë.

Ndërsa me 35 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim nuk kishte kuorum për të kaluar në parim as Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës.