Kuvendi nuk ka kuorum për t’i votuar projektligjet dhe rezolutat

Kuvendi i Kosovës nuk kishte kuorum për të votuar pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara.

Kuvendi nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së pasi vetëm 32 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

As Propozim-rezoluta nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, nuk ka pas kuorum pasi vetëm 30 deputetë kanë marr pjesë në votim.

Kuorum nuk kishte as për votimin e Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Për këtë pikë kishin votuar vetëm 29 deputetë.

Ndërsa, me 15 vota për nuk kishte vendimmarrje as për votimin në parim të Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

Kuvendi nuk ka pasur vendimmarrje as për votimin në parim të Projektligjit për ndryshim plotësimin e  Ligjit për Automjete, pasi për këtë pikë votuan për vetëm 33 deputetë.